Kryetari i PD-së, Sali Berisha denoncon se në Itali është arrestuar për kontrabandë ilaçesh dhe pacientësh shqiptarë që të merrnin karta shëndeti të falsifikuara në kohën e Covid, djali i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Po sipas ish-kryeministrit, që bazohet te qytetari dixhital, Endi Çuçi që punonte në KLGJ është arrestuar me mafien e shëndetësisë, por dosja që ka publikuar Sali Berisha nuk është e plotë.
Ai ka postuar dokumentet që sipas tij vërtetojnë përfshirjen e djalit të ministrit aktual, nga martesa e parë me Zhaklina Peton.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Berisha, rezulton se Endi Çuçi kishte hyrë me dokumente false në Itali në periudhën e COVID-19 dhe ishte në grupin e transportuesve të ilaçeve kontrabandë drejt Shqipërisë.
Dokumenti i përgjimeve thekson se;
“Ndue Pulaj konfirmoi dërgimin e ilaçeve për Evisa Sulejmanin falë transportit të Endi Çuçit.
Ndue Pulaj: Të shtunën po ju sjell Tamoxifene….
Evisa Sulejmani: Të shtunën?
Ndue Pulaj: Të shtunën vjen djali i Zhakut…
Në telefonatën e mëposhtme Vladimir Peto ka konfirmuar ardhjen e nipit të tij (Endi Çuçit)” thuhet në dokumentin e autoriteteve italiane, publikuar nga Sali Berisha.
DENONCIMI I SALI BERISHES
“Superskandal! Arrestohet ne Itali, Endi Çuçi, djali i ministrit te Brendeshem te familjes Blendi Çuçi, si antar i mafjes qe kontrabandonte ilaçe dhe te semure! Punonte ne KLGJ! Nderhyrje te fuqishme per lirimin e tij! Mafje dhe vetem mafje! sb
Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital.
Pershendetje Doktor.
Kam disa dokumenta me rendesi te cilat po jua nis. Behet fjale per nje mase sigurie te Gjykates italiane ku i perfshire eshte djali i Blendi Çuçit, Endi Çuçi ne kontrabande ilacesh dhe pacientesh shqiptare qe te merrnin karta shendeti te falsifikuara ne Itali ne kohen e Covid. Nuk e ka asnje media vetem ne. Nje miku im gazetar ma dha ne menyre konfidenciale te cilat i siguroi nga gazetare italiane. Materialet i kam.
Me poshte po ju nis dokumentin e Gjykates, ku permendet djali i Blendi Çuçit nga martesa e tij e pare me Zhaklina Peton, e dale ne pergjimet italiane.
Bashkengjitur ju nis te gjithe materialin, median tone e cila e publikoi rastin, por nuk e kane permendur emrin e djalit te Blendi Cucit dhe median italiane. Kredecialet e tij dhe punesimin ne KLGJ.
Me poshte dokumentat:
1. Masa e sigurise se Gjykates se Milanos.
2. Lajmet ne mediat italiane.
Pergjimet ne dosjen e Gjykates” shkruan Sali Berisha.
SKEMA
Skema e trafikimit të ilaçeve nga Italia drejt Shqipërisë u zbulua pak ditë më parë nga anti – mafia italiane në bashkëpunim me autoritetet shqiptare.
Përgjimet nxorën në pah një rast korrupsioni që kryhej në bashkëpunim me mjekët dhe infermierët në Itali, për t’ju siguruar qytetarëve shqiptar falas shërbime të shtrenjta mjekësore nga sistemi shëndetësor italian.
Për këtë skemë mashtrimi që dyshohet se zbatohej në provincën e Milanos janë venë në pranga 9 persona, 6 nga Shqipëria dhe 3 italianë.
Sipas gazetës Corriere della Sera, në krye të skemës qëndronte italiani Davide Luigi Vergani. Ky i fundit shfaqet në një video duke marrë një tufë me para në këmbim të kartës së shëndetit.
Ndaj 9 të arrestuarve janë ngritur akuzat e korrupsionit, trafikut të drogës dhe ndihmës për emigracion të paligjshëm.
Ata kishin krijuar një rrjet të trafikut të ilaçeve me përmbajtje narkotikësh dhe mashtrim me dokumentacionin e nevojshëm për pacientë nga Shqipëria.
SPAK ka ushtruar kontroll në 11 zyra në QSUT dhe ne banesa ku u gjetën dokumente italiane të nevojshme për hetimin, ndërsa anti-mafia në Milano vuri në sekuestro 500 mijë euro dhe ilaçe që kapnin vlerën e 20 mijë eurove.