Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FED) ka rritur normën bazë të huamarrjes me 0.75 pikë përqindjeje.
Masa vjen teksa FED kërkon të luftojë inflacionin në vend, i cili ka arritur nivele të larta që nuk janë parë për 40 vjet.
Vitin e kaluar, çmimet u rritën ndjeshëm.
Fillimisht, për shkak të problemeve të zinxhirit të furnizimit prej pandemisë së coronavirus-it dhe, më pas, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Përmes një deklarate, Komiteti Federal i Tregut të Hapur (FOMC) i përcaktimit të politikave të FED ka thënë se, pavarësisht rritjes së normës së interesit, mbetet i përkushtuar për kthimin e inflacionit në objektivin prej 2 për qind.
Që nga nëntori 1994, kjo është rritja më e madhe e normës së interesit të FED-it, me bankën qendrore të SHBA-ve që sinjalizon se pret të bëjë rritje të mëtejshme të normës bazë në të ardhmen.
Sipas FOMC-së, efektet e pushtimit rus të Ukrainës “po krijojnë presion shtesë në rritje mbi inflacionin dhe po rëndojnë aktivitetin ekonomik global”.
Po ashtu, bllokimet e vazhdueshme të COVID-19 në Kinë “ka të ngjarë të përkeqësojnë ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit”.