Drejtori i përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame në një konferencë për mediat tregoi “mishmashin” që është bërë me regjistrat e pronave në Tiranë.
Ai tha se nga kontrolli i regjistrave është zbuluar se ka mbivendosje, qindra faqe të grisura, bosh, por edhe marifete të tjera që kanë sjellë kaosin në Shqipëri.
Nga 2342 regjistra, Lame tha se vetëm 250 janë pa probleme, pjesa tjetër konkretisht 2100 prej tyre janë të dëmtuar. I njëjti skandal si me Kadastrën e Durrësit.
“Grisje faqesh, heqje dhe ndërrime faqesh. 515 faqe mungojnë, janë grisur nga regjistruat dhe nuk i kanë zëvendësuar. I mbetet historisë për të zbuluar çfarë ka pasur në këto qindra faqe. Janë me qindra të dyshuara si të zëvendësuara.
Është e dukshme se faqja ndryshon, pasi ndryshon ngjyra dhe formati. Edhe kjo kërkon hetim për të kuptuar se çfarë ka qenë në faqen origjinale. Janë 914 faqe të dubluara.
E njëjta pasuri ekzsiton në dy faqe, që e njëjta pasuri t’i jepej edhe njërit edhe tjetrit, por në fakt ishte një pasuri e vetme dhe pastaj përfundonin në dyert e gjykatave. Janë 180 faqe të grisura, është hequr aq shpejt sa duket që është hequr. Në Tiranë janë 13 mijë faqe bosh.
Në fund të regjistrit është e kuptueshme, por brenda për brenda regjistrit është absurde. Qëllimi ka qenë për t’i plotësuar më pas. Janë mijëra faqe prona shtetërore, që kanë përtuar t’i plotësojnë. Është punë që duhet ribërë tani. Ka edhe ndërrime fletësh” tha ai.
Por e kujt është përgjegjësia? “Në këtë pikë ndihem i lodhur. Nuk ka pasur rregullore përgjegjësie të saktë. Kushdo që merrte detyrën nuk bënte inventar.
Kështu që nuk e gjen dot. Edhe sikur të merremi, përgjegjësinë e ka cdo ministër i Bujqësisë, i Drejtësisë, drejtor i përgjithshëm, ATP-së, kryeministër, gjykatë apo noter që ka bërë këtë mishmash.
Vlera e këtij inventari është se vendos një ditë zero, pas kësaj nuk ka më. Arkiva është me sistem kamerash dhe alarmi dhe punonjës që kanë përgjegjësi” tha Lame.