Bojkoti i avokatëve do të vazhdojë. Ditën e sotme Dhoma e Avokatisë Vlorë vendosi që të vazhdonte bojkotin edhe javën tjetër, pasi qeveria nuk ka reflektuar për të marrë në konsideratë propozimet e tyre për hartën e re gjyqësore.
Kjo do të thotë se ashtu si javën që u mbyll edhe tjetra që vjen do të sjellë kaos në gjykatat e vendit, pasi avokatët nuk do të shkojnë.
Harta e re gjyqësore veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë.
Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun.
Debati për hartën filloi që pas disa takime konsultative, në të cilat ajo u kundërshtua ashpër nga avokatët, për shkak se sipas tyre pengon aksesin e qytetarëve të drejtësia.
Harta e re iu dërgua ministrisë së Drejtësisë me 10 qershor nga KLGJ. Tani fjalën e fundit e ka qeveria.