Sot Kuvendi i Shqipërisë zhvillon një seancë përkujtimore në kuadër të “Javës Çame” dhe 27 qershorit që është dita e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Me temë “Mos harro Çamërinë” seanca do të jetë e fokusuar te dëshmitë dhe rrëfenjat e historive të shqiptarëve të Çamërisë.
Seanca u kërkua nga deputetët çamë, ndërsa kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u shpreh se ky është një tjetër rast që njerëzit të dëgjojnë nga dëshmitarët okularë dhe të kuptojnë më shumë.
Një përgjigje, Idrizi e kishte edhe për ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias që pak javë më parë në Tiranë deklaroi se nëse Shqipëria ngre çështjen Çame do i bllokojë rrugën drejt BE-së.
“Nuk jemi të befasuar, por më bën përshtypje, është një gjuhë arrogante, duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Politika shqiptare e merr dhe e lë çështjen çame, nuk ka kontinuitet dhe ai mundohet ta artikulojë në këtë mënyrë.
Kush pjesë e çështjes nuk ekziston? Komuniteti, ja ku i keni brenda sallës. A nuk ekziston gjenocidi? Janë mijëra të vrarë.
Nuk ekziston çështja e të drejtave të njeriut? Të gjithë e dinë që akoma pleqtë e Çamërisë, kur duan të shkojnë të shohin shtëpitë e tyre edhe njëherë, i ndalojnë në kufi” tha Idrizi.