Taulant Balla u shpreh se kërkesa e 35 deputetëve të PD për ngritjen e një Komisioni Hetimor për investimet strategjike është rrëzuar pasi ka probleme atë qasjes kushtetuese.
Ai theksoi se në këtë kërkesë nuk kërkohet hetim i një çështjeje të veçantë si dhe mungojnë indiciet që justifikojnë një komisioni të tillë.
“Konferenca e Kryetarëve në shumicë konstatoi se kërkesa e PD ka probleme të qasjes kushtetuese të kërkesës së deputetëve, kërkesa nuk ka një mbështetje në vendimmarrjet e GJK e cila ka sqaruar rastet kur ngrihen këto komisione, nuk kërkohet hetim i një çështjeje të veçantë dhe mungojnë indiciet që justifikojnë një komisioni të tillë. Kam bërë një sqarim të plotë për refuzimin e kësaj kërkese dhe mendoj se opozita ka instrumentet të tjera të kontrollit parlamentar, por në kërkesë nuk ka as fakt as indicie që kuvendi të investohet për ngritjen e këtij komisioni. Pa i mohuar të drejtën 35 deputetëve, e drejta e kuvendit për të hetuar nuk është e pakufizuar. Të vish dhe të kërkosh të hetosh të gjithë hapësirën e zbatimit të ligjit, nuk mund të jetë objekt i një komisioni. Për më qartë të enjten në Kuvend do parashtroj të gjitha arsyetimet e një karakteri strikt kushtetues të refuzimit të kësaj kërkese”, u shpreh Balla.