Prokuroria e Shtetit i ka bartur kërkesën për hetimin e posedimit të pasaportës diplomatike të stilistit, Valdrin Sahiti, Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Këtë e ka bërë të ditur këshilltari i kryeministrit, Albin Kurti, Durim Berisha, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Procedura tani është në duart e institucioneve të drejtësisë, të cilat sipas tij, duhet ta shqyrtojnë nëse shitja e fustaneve konsiderohet interes shtetëror.
“I mbetet institucioneve te drejtësisë te konsiderojnë nëse shitja e fustanave konsiderohet interes i jashtezakonshem shtetëror”, ka shkruar Berisha.
Javë më parë u bë e ditur se disenjatori kosovar, Valdrin Sahiti, zotëron pasaportë diplomatike.
Lidhur me këtë nga Presidenca e Kosovës kanë deklaruar se Presidentja Vjosa Osmani, nuk i ka lëshuar pasaportë diplomatike askujt, asnjëherë.
Bekim Kupina, Këshilltar i Osmanit, ka thënë se pyetjet e tilla duhet t’iu parashtrohen qeverive të kaluara.
“Presidentja as nuk lëshon e as nuk merr pasaporta diplomatike. Pra nuk i ka lëshuar pasaportë diplomatike asnjëherë askujt. Për qindra pasaporta të raportuara në media, pyetjet duhet të drejtohen tek Qeveria paraprake, sepse janë lëshuar gjatë qeverisjes së tyre”, është shprehur Kupina.