Pas kërkesave të opozitës, por edhe deputetit socialist Erion Braçe, Edi Rama ka dhënë “dritën jeshile” për paketën e dytë në ndihmë të familjeve në nevojë që preken nga kriza e çmimeve dhe inflacionit që është vetëm në rritje.
Ministria e Financave dhe e Infrastrukturës kanë hartuar një draft të ri që mbështet familjet dhe biznesin e vogël. Në ditët në vijim pritet që drafti që po hartohet të bëhet publik. Paketa e dytë mbështetëse, do të jetë në fuqi deri në fund të vitit.
Një element të paketës së dytë e zbuloi kryeministri Edi Rama pak ditë më parë në Kuvend ku lajmëroi se qeveria do të heqë taksën mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra. Paketa e parë mbyllet në qershor.
Ajo parashikonte indeksimin e pensioneve me 3.3 miliardë lekë, kompensim me 3 mijë lekë për 576 mijë pensionistë e familje në nevojë, mbështetje 1.5 miliardë lekë për fermerët, 500 milionë lekë që mos të rritej çmimi i transportit publik, fond 20 miliardë lekë për energjinë elektrike dhe ndryshim të taksës progresive e rritjes së pagës minimale.