Shqipëria i ka humbur shpresat që në samitin e pas dy ditëve që do të mbahet në Bruksel të hapen negociatat, pasi Sofja nuk e ka hequr veton për Shkupin duke bllokuar edhe Tiranën duke qenë se për dy vendet BE ka vendosur ecurinë në bllok.
Sot kryeministri Edi Rama ka sulmuar BE-në duke deklaruar se është peng e Bullgarisë.
Ai thotë se ka zhvilluar një bisedë me Presidentin serb Vuçiç dhe kryeministrin maqedonas Kovaçevski në prag të samitit duke lënë të kuptohet se do e bojkotojnë.
“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së.
Duket se një tjetër “Jo, më falni!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund!
I gjithë Unioni peng nga Bullgaria, nuk është spektakël i mirë për t’u parë!
Çfarë duhet bërë atje?!” shkruan Rama.
Kjo do të thotë se kreu i qeverisë shqiptare së bashku me atë të Maqedonisë dhe Presidentin serb, ashtu si në nismën e “Open Balkan” janë bërë bashkë, këtë herë duke i bërë presion Bashkimit Europain me bojkotimin e pjesëmarrjes në samit.