Diplomatë të ndyshëm të Bashkimit Evropian vazhdojnë të thonë se vendet e tyre po bëjnë përpjekje që nga Samiti i BE-së, që do të zhvillohet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, të shprehet mbështetje e qartë politike për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kjo do të shërbente pastaj si një pikënisje për procedurën, e cila do të inicohet në grupet punuese të Këshillit, ku edhe do të merreshin vendimet.
Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave.
Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti.
Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian ka mbështetur dhe ka dhënë pëlqimin e vet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Mbështetjen e Parlamentit Evropian e ka përsëritur të mërkurën edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas takimit që ka pasur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Metsola ka shkruar në Twitter se “liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa vonesa”.