Dyert e SPAK-ut që është krijuar për të hetuar dhe arrestuar politikanët dhe zyrtarët e lartë për korrupsion sot kanë parë një gjyq aspak të zakontë. Kjo prokurori thirri për të dëshmuar 240 persona të fshatit Kozarë, në Kuçovë. Banorët po dëshmojnë me kërkesë të SPAK dhe palës së akuzuar, që është Bektash Shtëpënja.
SPAK kërkon të konfiskojë, për shkak të OFL, pasurinë e Bektash Shtëpënjës, pasi djali i tij ka qenë i dënuar në Itali për drogë dhe prostitucion. Bektashi ka plotësuar formularin e OFL për dy shtëpi dhe tokën, duke deklaruar se të ardhurat i ka nga autokombajna, me të cilën punon prej vitit 1991, si dhe nga viti 1980 ka qenë pjesë e kooperativës. Për të hedhur dritë mbi këtë pretendim, SPAK ka thirrur banorët.
“Kemi korrur grurin me Bektashin dhe e paguajmë pa faturë, se nuk kemi pasur kurrë nipt e fatura” thanë disa prej tyre në gjyq. Bektash Shtëpënja nuk ka qenë sot i pranishëm në gjyq, por ka çuar djalin, pasi ka bërë deklaratë se “jam duke korrur grurin e fshatit. Kur te mbaroj gruri vij në gjyq, por kam të ardhura me djersë e punë jo sikur thotë OFL. S’jam kriminel, i gjithë fshati më njeh. Nuk kam manipuluar dëshmitë e fshatit, sikur thotë SPAK, jam punëtor” mbyllet deklarata.