Gjykata e Tiranës ka refuzuar kërkesën për lirim nga qelia të një 43-vjeçari nga Tajvani, i arrestuar në Shqipëri për llogari të drejtësisë së Tajlandës.
Tzu Yoan Kuo u prangos nga Interpol Tirana në shtator të vitit të kaluar, në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Në qershor të vitit 2018 një gjykatë tajlandeze kishte dhënë një vendim penal me 20 vite burg ndaj tij. Për drejtësinë e Mbretërisë së Tajlandës 43-vjeçari ishte fajtor për veprat penale të “mashtrimit”, “pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “pastrimit të parave” dhe “mashtrim kompjuterik”.
Fillimisht tajvanezi Yan Kuo u la në “arrest në burg”, ndërsa në nëntor 2021 Gjykata e Tiranës miratoi kërkesën për ekstradimin e tij në Tajlandë.
Vendimi është kundërshtuar nga Yan Kuo, por në shkurt 2022 Apeli la në fuqi ekstradimin.
Teksa priste të dërgohej në Tajlandë 43-vjeçari kërkoi lirim nga qelia, me pretendimin se i ishin shkelur afatet kohore që parashikon ligji në rastet e ekstradimit. Përmes avokatit, ai kërkoi lirim të menjëhershëm, pasi po i privohej liria.
Por gjykata e Tiranës ka arsyetuar se sipas shënimit të kryesekretarisë vendimi i Apelit i datës 22 shkurt kishte marrë formë të prerë në 12 maj. Në këtë mënyrë, sipas Gjykatës së Tiranës, afati që mund të çonte në lirimin e 43-vjeçarit nuk kishte skaduar. /A2