Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano ka zhvilluar një vizitë në Berlin, ku është takuar me drejtuesit e lartë të policisë Federale të Gjermanisë.
Ai është pritur nga Presidenti i Zyrës Federale të Krimeve të Gjermanisë (BKA) Holger Münch.
Në fokus të takimit midis kreut të Policisë shqiptare dhe drejtuesve të BKA-së në Gjermani, ishte forcimi i bashkëpunimit midis Policisë së Shtetit dhe BKA-së për ta ngritur në një nivel tjetër ndërveprimin midis dy policive.
Nano dhe Münch diskutuan për rritjen e hetimeve të përbashkëta kundër grupeve kriminale në fushën e krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit si dhe për shtimin e operacioneve të përbashkëta për këtë qëllim.
Z. Münch, gjatë fjalës së tij u shpreh: “Besueshmëria dhe profesionalizmi i Policisë shqiptare është garanci për ta forcuar këtë bashkëpunim në interesin tonë të përbashkët, atë të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Ju përgëzoj për punën dhe sfidat që keni marrë përsipër dhe ju garantoj se do të keni përherë mbështetjen e BKA-së.”
Ndërkaq Nano, gjatë fjalës së tij theksoi se është i vendosur dhe i qartë në prioritetet dhe sfidat që kemi si Polici e Shtetit dhe këto nuk mund t’i realizojmë dot pa bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, siç është dhe BKA-ja.









