“Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës sonë evropiane”, ka shkruar Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në llogarinë e saj në Facebook.
Bashkë me disa fotografi të bashkëngjitura, presidentja Osmani ka treguar se me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në Bruksel kanë diskutuar për këtë gjë.
“Diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE”, ka përfunduar Osmani.
“Në një diskutim të hapur dhe përmbajtësor me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane, e kanë vendin në BE”, ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit.
Ndryshe, në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.