Për Skender Hysenin, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, deklarata e Presidentes, Vjosa Osmani, se “Kosova pati mbështetje të madhe për liberalizimin e vizave”, është një gënjeshtër i pastër.
“Natyrisht që kjo zonja presidente ka dëgjuar për herë të parë deklarata të tilla nga liderë evropian, prandaj ajo vërtete edhe mendon se për herë të parë janë dhënë deklarata në mbështetje të liberalizimit të vizave dhe perspektivës evropiane të Kosovës, ngase ajo është e bindur që historia e Kosovës ka nisë me të dhe me shefin e saj Kurti”.
Sipas Hysenit, deklarata të tilla në përkrahje të liberalizimit të vizave ka pasur në vazhdimësi që nga Samiti i Selanikut.
“Veprimet e opozitës së atëhershme, ku bënte pjesë edhe Vjosa me disa deputetë të tjerë nga LDK, të cilët përbënin një bërthamë të VV-së brenda LDK-së, i patën ofruar pretekstin e mjaftueshëm dhe arsyetimin për mos liberalizim shume vendeve evropiane të cilat mezi prisnin një arsye”, ka shtuar ai.
Hyseni, më tej ka treguar edhe një histori, se si një anëtar i LDK-së, ushtarak, dhe sipas tij bërthamë e Vetëvendosjes në LDK, kishte thënë se grupet e armatosura ishin në Rugovë të gatshme për ta nisur luftën me Malin e Zi.
Sipas tij kjo kishte qenë një prej deklaratave më qesharake që kishte dëgjuar ndonjë herë.