Kuvendi i Bullgarisë miratoi sot propozimin e Presidencës franceze të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Kjo është bërë përmes një projektvendimi të dorëzuar nga bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov, në të cilin thuhet se Bullgaria do të mbështesë çdo hap të procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut në specifikimin e kornizës negociuese dhe konkluzioneve të këshillit për të siguruar përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën maqedonase “ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe”.
Pas më shumë se katër orësh debati, projektvendimi u miratua me 170 vota pro nga partitë (“Vazhdojmë ndryshimin”, “Bullgaria Demokratike”, GERB dhe MRF), 37 kundër nga partitë (“Ka një popull të tillë”, ” Vazrazhdane”, katër nga BSP dhe dy të pavarur) dhe 21 abstenime nga partitë (BSP, një nga “Vazhdojmë ndryshimin” dhe dy deputetë të pavarur).
Pas miratimit të projektvendimit nga Kuvendi Kombëtar, Këshilli i Ministrave duhet ta nënshkruajë atë. Pra tashmë fjalën e fundit e ka kryeministri. Kuvendi e tha fjalën e tij 24 orë pas samitit të BE-së dhe rrebeshit të akuzave nga Shqipëria dhe Maqedonia në Bruksel.
Nëse kryeministri do ta firmosë samiti i BE-së duhet të mblidhet në takim të jashtëzakonshëm për t’i hapur rrugë konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat për dy vendet e Ballkanit.