Maqedonia e Veriut do të pranojë propozimin e presidencës franceze për fillimin e negociatave me BE-në nëse çështja e gjuhës maqedonase nuk bëhet problem në kornizën e negociatave dhe nuk përfshihen çështjet historike dhe nëse fillimi i procesit të negociatave nuk lidhet me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, theksoi Qeveria në Shkup.
Ndërkaq, Kuvendi Kombëtar i Bullgarisë dje me 170 vota “pro”, 37 “kundër” dhe 21 “abstenim” miratoi dokumentin e njohur në opinion si “propozim francez” për zhbllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Vendimi i Parlamentit bullgar, i propozuar nga kreu i Bullgarisë Demokratike (DB), Hristo Ivanov, i jep dritën jeshile dorëheqjes së kryeministrit Kiril Petkov “për të miratuar kornizën negociuese dhe konkluzionet e propozuara nga Presidenca franceze e Këshillit të BE të zgjidhë marrëdhëniet komplekse mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, nëse plotësohen disa kushte”.
“Zbatimi efektiv i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, garantimi i të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë përmes futjes së tyre në Kushtetutë, asgjë në procesin e anëtarësimit të RMV të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Bullgaria dhe BE-ja të jetë garantuese”, thuhet në vendimin bullgar.
Kiril Petkov në llogarinë e tij në Twitter njoftoi se Asambleja Kombëtare Bullgare “miratoi një vendim historik që i jep dritën jeshile propozimit francez për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”.
Presidenti francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e rradhës të BE-së, përshëndeti vendimin e parlamentit bullgar, duke njoftuar se procesi po vazhdon.
“Dua të përshëndes votimin në Parlamentin bullgar, i cili i hap rrugën heqjes së vetos dhe hapjes së negociatave të pranimit të Maqedonisë, dhe rrjedhimisht përparimin e dosjes së Shqipërisë”, tha Macron në një konferencë shtypi në Bruksel. Ai shtoi se pas këtij votimi, shkëmbimet e mendimeve me partnerët në Bullgari dhe Maqedoni do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.(INA)