Akti normativ i qeverisë që parashikon kompensimin e kompanive të ndërtimit për rritjen e kostove të materialeve të ndërtimit ka sjellë reagime të forta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Drejtuesja e komisionit, Grida Duma akuzoi se qeveria po u jep “peshqve” të mëdhenj, sikur tha ajo, oligarkëve të ndërtimit, Gjoka, Salillari, etj lekët e shqiptarëve që u mori nga rritja e çmimeve.
“Kam disa pyetje që vijnë në parim dhe pastaj zbresin. Keni zgjedhur që të përdorni paratë e buxhetit për të kompensuar kompanitë e mëdha që marrin tendera për rindërtimin, oligarkët. Duhet qartësuar lista e kompanive që përfitojnë dhe ku bazohet që propozohet që me VKM që të kompensohen disa po dhe disa jo.
Dhe cilat janë? Së dyti, ju thoni se janë rritur çmimet, materialet bazë me të cilat punojnë dhe kjo ka vonuar punimet? Ju keni një rast si Kardhiq-Delvinë që ka nisur me 50 dhe përfunduar me 108 milionë euro dhe kanë tenderuar me 99.9% të fondit limit dhe janë po këto që kërkojnë mbështetje.
Po t’ju nxjerr sot tabelën, vaji, veza, nafta, etj janë rritur, ne zgjedhim që taksat e shqiptarëve nuk rishpërndahen te shqiptarët që janë të fundit në rajon për të ardhurat për frymë. Ne me 400 mln që ua marrim shqiptarëve nga çmimet e rritura dhe ua çojmë këtyre tenderuesve si Gjoka apo Salillari dhe ca të tjerë si këta.
Duhet ditur cilët janë, por mesa duket tek këto emra po shkojnë. Kur këto kanë marrë 99.9% të fondit limit. Këta peshqit e mëdhenj duhet të shkojnë në ndjekje penale. Se ju keni çuar atje për një arkë peshk. Si ka mundësi që bëhet kjo? Kjo është anti-kushtetuese, kjo është lëvizje me prapaveprim, që do të prekë edhe më përpara” deklaroi Duma.
Nga Akti mund të përfitojnë shumë mirë kompani që kanë vonuar punimet, ose nënkontraktorët e operatorëve që kanë fituar tendera publikë. Akti Normativ i qeverisë parashikon kompensimin në masën 5 deri 30% të materialeve të ndërtimit për kompanitë e angazhuara në vepra publike.