Në fshatin Shtiqen të Kukësit, më shumë se 50 banorë kanë shfaqur shenja helmimi dhe janë shtruar me urgjencë në spital.
Mjeku roje i Urgjencës së Spitalit në Verilindje të vendit tonë, Albert Shehu, ka deklaruar se nga mëngjesi i së dielës deri në orët e mesditës, një numër i lartë personash kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa shumica e tyre kanë pasur të vjella dhe diarre.
Ndërsa nuk përjashton që shkak i kërkesave të shumta për ndihmë mjekësore në spital mund të jenë bërë virozat e stinës, mjeku Shehu thekson se nuk përjashtohet mundësia që pacientët të kenë pësuar helmime nga uji i pijshëm.
“Ky fenomen mund të lidhet me një gjendje virale ose intoksikacion që mund të jetë nga uji, mund të jetë nga perimet, mund të jetë nga frutat. Ka një fluks të shtuar. Vetëm sot nga ora 08:00 e deri më tani mund të ketë mbi 50 vizita, nga të cilat 40 janë me bark dhe të vjella, janë shoqëruar edhe me temperaturë. E kemi përballuar situatën deri më tani dhedo ta mbajmë situatën nën kontroll”, tha Shehu.
Ndërmarrja e Ujësjellëst së Kanalizimeve në Kukës “UKK”, njoftoi se monstrat e marra nga uji paraprakisht duken pa ngjyrë dhe erë. Megjithatë, për sigurinë e banorëve, është ndërprerë furnizimi me ujë në lagjen Mujë, deri në përgjigjen e analizave të tij nga ISHP.
Shkaku?
Pavarësisht shtrimeve, kërkesave të shumta për ndihmë mjekësore në Spitalin e Kukësit, mbetet mister shkaku i asaj që mund të konsiderohet si helmim masiv. Mjeku i Urgjencës thotë se të prekur janë edhe fëmijët, pasi ka raste të shtuara në Pediatrinë e Spitalit.