Një situatë e rëndë ka ndodhur në Kukës, ku mijëra banorë janë shtruar në spital për helmim të rëndë nga ujë i pijshëm. Ish-kryeministri Sali Berisha i është kundërpërgjigjur bashkiakut të Kukësit, Safet Gjicit, i cili e konsideroi situatën si normale dhe u shpreh se uji është i pijshëm por është përzier me atë të vaditjes.
Berisha është shprehur se situata po kamuflohej si një virozë e stinës dhe në institucionet përgjegjëse ka rënë një heshtje varri. Sipas tij ato po tregohen indiference.
“Ajo që të bën përshtypje në këtë ngjarje është heshtja, terri informativ dhe përpjekja e qeverisë për ta minimizuar këtë problem. Megjithëse numri i pacientëve ka qenë disa qindra deri në këtë moment asnjë informacion nuk është dhënë nga organet kompetente dhe mediat e kontrolluara prej qeverisë.
Nisur nga të dhënat specifike dhe mendimi i mjekëve kurues, këto të sëmurë duken se e kanë marrë shkaktarin infektiv nga uji i pijshëm, por pavarësisht kësaj po punohet në mënyrë djallëzore për ta trajtuar si virozë sezonale,” ka shkruar Berisha.