Në prag të protestës së 7 korrikut, Sali Berisha ka mbledhur kryesinë e PD-së për të udhëzuar anëtarët që të mobilizojnë bazën që të mbushin sheshin përpara Kryeministrisë. Kryedemokrati tha se ka informacione se baza po lëviz, por kërkoi intensifikim. Ai tha se në protestë me frontin e ri opozitar do të jenë parti parlamentare dhe jo parlamentare, por nuk përmendi emra konkretë.
“Protesta e datës 7 korrik ka një rëndësi shumë të madhe, jo si një protestë e PD-së, por si një protestë e mbarë shqiptarëve.
Roli i PD-së në organizimin e kësaj proteste është përcaktues, por PD shkon drejt saj me një koalicion të gjerë me shoqërinë civile, me personalitete aktive në jetën publike dhe forca politike opozitare të vërteta, parlamentare dhe jashtë parlamentare.
Kam informacione se në degë kanë filluar aktivitetin dhe takimet, por ajo që kërkoj është intensifikimi maksimal i përpjekjeve tona që kjo protestë të shprehë të gjithë shqetësimet e mëdha.
Bordet komuniste janë shndërruar në një mekanizëm gjakpirës, që rrisin çmimet jashtë cdo lloj logjike tregu. Dy ditë më parë fuçia e naftës ka qenë 108 dollarë në bursë, nafta në treg ka qenë 2600 e ca lekë.
Një muaj më parë, kur fuçia e naftës ka qenë po 108 dollarë, nafta në Shqipëri ka qenë 2240 lekë” tha ai.