Denion Mejdani është rikthyer në postin e drejtorit. Ai është emëruar drejtor i qendrës për rehabilitimin e personave të kthyer nga vendet e luftës në lindje që u rekrutuan nga ISIS.
Më herët, në vitin 2017 në qeverinë teknike PS-PD, Gazmend Bardhi i cili mbajti postin e ministrit të Drejtësisë e emëroi djalin e ish-Presidentit Mejdani drejtor të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
Djali i ish-presidentit Rexhep Mejdani e kishte mbajtur edhe më parë këtë post, nga viti 2012 deri në vitin 2013, ku u largua nga kjo detyrë.
Largimi i Denion Mejdanit nga posti që mbante, erdhi si pasojë e arratisjes së bujshme nga burgi i Drenovës me 23 nëntor të 2013, ku 7 të burgosur mundën të largoheshin nga qelia, mes tyre edhe Admir Tafili, kreu i bandës së vrasësve me pagesë.
Mejdani ka mbajtur më parë edhe postin e kreut të Antikontrabandës në Drejtorinë e Doganave, ku pas një konflikti që pati me drejtoreshën e këtij institucioni asokohe, Elisa Spiropalin u shkarkua nga kjo detyrë.