Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pret që partitë opozitare t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti, për takimet që kanë të bëjnë me procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.
“Po e fillojmë me partitë e opozitës për ta përmbyllur me të gjitha grupet që janë të përfaqësuara në Kuvend. Si Qeveri jemi të obliguar që t’i informojmë ato në raport me veprimet që i kemi marrë në këtë proces që është shumë i rëndësishëm. Nesër kemi planifikuar që ta mbajmë takimin me AAK-në. Për aq sa jam e informuar ata do të jenë të pranishëm”, tha Haxhiu në RTK.
Pos AAK-së, ajo ka paralajmëruar takime edhe me PDK-në dhe LDK-në, pasi sipas saj reforma në drejtësi kërkon konsensus të gjerë.
“E vlerësoj gatishmërinë dhe vullnetin për të bashkëbiseduar për një proces shumë të rëndësishëm. Ne i kemi ftuar liderët e partive por kjo nuk e përjashton mundësinë që ata t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre”.
“Pavarësisht dallimeve politike dhe orientimeve tona ideologjike e programore, besoj se për reformën në drejtësi duhet të jemi të unifikuar sepse njësoj sikurse ne, edhe partitë tjera ballafaqohen me shqetësimet e qytetarëve për problemet me të cilat ata ballafaqohen”, ka thënë tutje Haxhiu.
Ajo ka thënë se Kosova është vonuar në procesin e Vettingut, “përkundër përpjekjeve të vazhdueshme sporadike që të reformohet sistemi i drejtësisë duket që ka munguar vullneti edhe i qeverisë në të kaluarën, por edhe vet sistemit të drejtësisë që të pranohen reformat dhe realisht të përmirësohen gjendja”.