Gjykata e Tiranës vendosi sot që të lironte nga qelia Ajas Sulejmanin, shoferin që aksidentoi te vijat e bardha çiftin dhe foshnjën 3-muajshe në 10 maj në Tiranë.
Gjyqtarja Rexhina Memlika vendosi që të zbusë masën e sigurisë ndaj tij, pasi çifti e fali. Tani 39-vjeçari do të hetohet nën masën e arrestit shtëpiak.
Ajas Sulejmani, me “G-CLASS”-in e tij të zi kaloi me semafor të kuq dhe përplasi çiftin Vilma dhe Arjan Konomi në viza të bardha teksa me vete kishin edhe një foshnje 3 muajshe, e cila shpëtoi fatmirësisht pa asnjë lëndim.
Gjendja shëndetësore e bashkëshortëve Vilma e Arjan Konomi ishte e rëndë për shumë ditë.
Sulejmani deklaroi se nuk ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike dhe as me shpejtësi të lartë, por shpejtësia ka ardhur si pasojë e një problemi në mjet, të cilit nuk i punonin frenat.
Sulejmani, nuk është një emër i panjohur për policinë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Drejtuesi i makinës luksoze me targa të gjermane ishte shoqëruar tre javë përpara aksidentit
për verifikim dhe është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.
Sulejmani ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2014 nga autoritetet amerikane, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike.