Lufta në Ukrainë është luftë për ndikim dhe pushtet. Rusia kërkon të ndryshojë rendin botëror. Demokracitë perëndimore janë kundër dhe kërkojnë aleatë. Edhe në takimin e nivelit të lartë të grupit G7 në Elmau, vendet më të mëdha të industrializuara, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja dhe SHBA u vunë në kërkim të partnerëve dhe aleatëve. Sepse jo vetëm prej sulmit rus kundër Ukrainës është bërë e qartë se bota do të ndahet sërish në zona ndikimi dhe pushteti. Cili ndodhet në krah të kujt? Cili është mik dhe cili armik?
Konkurencë me Kinën
Kina është duke ecur përpara me gjithë fuqinë në projektin e saj për të ndërtuar një Rrugë të re të Mëndafshtë, duke i lidhur vendet me veten përmes dhënie kredish dhe projektesh infrastrukturore si për shembull ndërtime portesh. G7 dhe BE e kanë kuptuar prej kohësh këtë, por kanë bërë pak kundër këtij projekti. Kjo gjë do të ndryshojë tani.
Ditën e parë të takimit të nivelit të lartë u konkretizua projekti “Partneritet për infrastrukturën dhe investimet globale”. Një ide që ka lindur që gjatë kohës që presidencën e takimeve të nivelit të lartë të G7 e mbante Britania e Madhe, dhe që është mbështetur me 600 miliardë dollarë. Me këto para pritet të financohen projekte për infrastrukturën, mbrojtjen e klimës dhe shëndetin në vendet në zhvillim dhe vendet që pritet të kthehen në vende të industrializuara. Pikërëndesa do të vendoset në Afrikë, por edhe vende të tjera të varfëra mund të marrin pjesë. Programi do të vazhdojë deri në vitin 2027.
A nuk janë vendet perëndimore vonë për këtë gjë?
“Nëse demokracitë tregojnë çfarë mund të ofrojnë, atëherë nuk duhet të shqetësohemi nëse fitojmë apo jo ndaj konkurencës,” thotë i bindur presidenti amerikan, Joe Biden. Duke ftuar Indonezinë dhe Indinë në Elmau, aty qenë ftuar njëkohësisht kryesia aktuale dhe e ardhshme e G20. Senegali mban kryesinë e Unionit Afrikan, Argjentina mban kryesinë e Bashkësisë së Vendeve Latinoamerikane dhe Karaibeve.
“Duke qenë demokraci ne e shohim botën në të njëjtën mënyrë dhe është mirë, është e rëndësishme dhe e domosdoshme që ne të këmbejmë mendime me njëri tjetrin,” tha Scholz pas takimeve të punës me përfaqësuesit e këtyre vendeve. “Ne i vëmë veshit njëri-tjetrit dhe kjo krijon mirëkuptim reciprok dhe lehtëson bashkëpunimin. ”Për çështjet e mbrojtjes së klimës, furnizimit me energji dhe luftën kundër urisë në botë” folëm me njëri-tjetrin shumë mirë, hapur dhe në mënyrë konstruktive”, tha kancelari gjerman. “Ky dialog është shumë i rëndësishëm dhe do të vazhdojë”.
Ndryshimet në pikëpamje mbeten
Çështja kryesore e diskutueshme ka të bëjë me qëndrimin ndaj Rusisë. Kur Kombet e Bashkuara dënuan në muajin mars sulmin rus kundër Ukrainës dhe i kërkuan Kremlinit t’i japë fund agresionit të tij, India, Senegali dhe Afrika Jugore nuk e dhanë votën. Gjatë vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, Argjentina dhe Indonezia nuk ishin në të njëjtën linjë me Perëndimin. Ndërsa India importon madje ndërkohë më shumë naftë ruse se para luftës.
Kombet e industrializuara demokratike e dinë se megjithë fuqinë ekonomike që kanë, nuk mund ta izolojnë Rusinë, nëse shtetet e tjera nuk i respektojnë sanksionet. Por, por këto vende nuk duan ta prishin me Rusinë edhe për shkaqe ekonomike.
Financim i energjive nga lëndë fosile?
G7 nuk u mor vetëm me synime gjeopolitike, por edhe me burimet për ekonominë. Perëndimi duhet të shkëputet nga varësia energjetike prej Rusisë. Afrika ka burime të mëdha gazi, të cilat nuk janë të lidhura me tregjet ndërkombëtare. Senegali mund të furnizojë me gaz të lëngshëm, dhe aktualisht po zhvillohen bisedime për shfrytëzimin e një fushe të re pusesh nafte në bregdetin afrikano-perëndimor. Furnizimet ruse me nikel mund të zëvendësohen prej importeve nga Indonezia. Një vend që ka po ashtu rezerva të mëdha qymyrguri.
Mbrojtësit e mjedisit kanë vënë alarmin. “Shpenzimi i parave publike për fusha të reja pusesh nafte në vendet e Jugut Global është i papërgjegjshëm si sa i përket politikës së zhvillimit ashtu edhe politikës së klimës,” tha presidentja e organizatës “Bukë për Botën”, Dagmar Pruin. Pasi Gjermania njoftoi gjatë konferencës së fundit për klimën në Glasgow, se pas vitit 2023 nuk do të investojë më në energji nga lëndë fosile hapi mbrapaktheu që bëhet në Elmau është një “mbrapaktheu historik në politikën ndaj klimës”.
Heqja dorë nga qymyri do të bëhet më ngadalë
Pas bisedimeve midis G7, BE dhe vendeve partnere shtatë vendet më të mëdha të industrializuara deklaruan në Elmau se janë të gatshme të luftojnë kundër ndryshimit të klimës. Por ato duan njëkohësisht të krijojnë edhe siguri në furnizimin me energji. Këtu bëhet fjalë për shkëputjen graduale nga qymyri dhe krijimin e mundësive për prodhimin me “drejtësi sociale” të energjive të ripërtëritshme.
Në fund të deklaratës së takimit të nivelit të lartë të G7 dëgjohet të flitet për rolin e rëndësishëm të gazi të lëngshëm, i cili duhet të rritet në mënyrë që të kapërcehen vështirësitë e mundshme sidomos në Europë. Në një nga versionet e deklaratës thuhet se investimet publike në sektorin e gazit janë të rëndësishme si përgjigje e përkohshme ndaj krizës aktuale të energjisë.
Në një tavolinë me Putinin, po apo jo?
Interesante do të jetë si do të zhvillohen planet për takimin e nivelit të lartë të G20, që pritet të mbahet në muajin nëntor në ishullin indonezian të Balit. Krahas Kinës në grupin e shteteve të G20 bën pjesë edhe Rusia. Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Tass, presidenti Vladimir Putin planifikon të marrë pjesë në takimin e niveli të lartë të G20.
Çfarë do të bëjë Perëndimi? Kancelari Olaf Scholz do të vendosë “pak para udhëtimit” dhe pavarësisht gjendjes aktuale. Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen tha në Elmau, se në takimin e nivelit të lartë të G20 ajo do të ulet në një tavolinë me Putinin. “Është e rëndësishme që atij t’i thuhet në fytyrë çfarë mendojmë për të,” theksoi ajo.DW