Kryetari i PD-së, Sali Berisha këshilloi sot Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn që të mos marrin pjesë në protestën e 7 korrikut. Megjithatë, tha ai, kjo është këshillë duke theksuar se askush nuk i pengon që të vijnë nëse duan.
“Ajo ishte një këshillë, që ka gjithmonë relativitet të madh. Askush nuk mund të pengohet për të ardhur në protestë. Por nëse unë jap një këshillë në interesin më të mirë të protestës, kjo nuk do të thotë ndalim. Më vjen keq. Mos e interpretoni kështu. Ata po të duan e pranojnë, por të duan nuk e pranojnë” tha ai.
Ekzekutimi i Pjerin Xhuvanit 4 ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 është rikthyer sërish në skenë pas arrestimeve pak ditë më parë në Elbasan. Për këtë ngjarje, Sali Berisha akuzon zinxhirin komandues në drejtësi, kryeministrin, por edhe Gazment Bardhin.
“Në ngjarjen e Elbasanit është i implikuar Edi Rama, Bledi Çuçi, drejtori i policisë Ardi Veliu, dy zv/ drejtorët dhe nëse drejtori i policisë së Elbasanit ka qenë në detyrë, edhe ai, prokurorë të Elbasanit dhe pa asnjë dyshim në rrafshin politik, njeriu më përgjegjës është Taulant Balla dhe përgjegjësi ka për ngjarjen, jashtë cdo dyshimi ka Gazment Bardhi” tha ai.