Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë është mbledhur sot për të shqyrtuar kërkesën e grupit të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pasi akuzohet se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik. Kjo është mbledhja e dytë pasi e para u shty pas kërkesës nga deputetët e Partisë Socialiste për për më shumë kohë që të lexojnë fillimisht dokumentacionin e dorëzuar nga demokratët.
Kreu i Grupit parlamentar Taulant Balla, ka replikuar me deputetin e PD-së, Gazmend Bardhi.
Balla kërkoi prova për akuzat e PD-së, ndërsa Bardhi tha se Xhaçka dhe burri i sak po përfitojnë vazhdimisht nga kjo veprimtari fitimprurëse.
Balla: “Ne i referohemi provave, fakteve. Pyetja ime është shumë e thjeshtë a ka fituar Xhaçka, 1 qindarkë, dhe në ç rrugë e ka marrë, në bankë, çek? Dhe ma provoni me fakte që e ka marrë”.
Ndërsa Bardhi u përgjigj: “Zonja ka përfituar të drejtën e ushtrimit të veprimtarive përfituese me prona të shtetit. Olta gënjehu. Tha që nuk kam fituar nga reduktimi i TVSH. Vendimet e komitetit të investimeve strategjike referojnë të kundërtën. Olta Xhacka për të bërë hotel me yje paguan 5% të TVSH. Janë lekë të munguara në buxhetin e shtetit. Subjekti ka lidhur kontratë me brand ndërkombëtar. Ministrja gënjeu në seancë publike…”
Kujtojmë se vetë ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar pas akuzave të opozitës, se bashkëshorti i saj i shpallur investitor strategjik nga qeveria, është në konflikt interesi. Sipas ministres bashkëshorti i saj nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga shteti, por vetëm siguri juridike.