Qeveria nuk tërhiqet nga harta e re gjyqësore. Kryeministri Edi Rama injoroi bojkotin e avokatëve duke e cilësuar sjelljen e tyre pa moral dhe të padobishme dhe të padëgjuar më parë.
“Harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon. Habitem që ka akoma grupe individësh që besojnë se me qeverinë që unë drejtoj mund të flitet me gjuhën e bojkotit dhe gjuhën e shfaqjeve të kokëfortësisë pa zë. Harta është ajo dhe nuk ndryshon.
Të bojkotojnë sa të duan, harta nuk ndryshon. Shqipëria nuk mund të mbetet peng i vetvetes dhe të kaluarës së vet. Shqipëria nuk është Kina, as Amerika, as Franca. Është një vend shumë i vogël për të pasur institucione të panumërta.
Harta e konsultuar gjatë dhe e dakordësuar. Pengmarrja e qytetarëve është e pamoralshme, e padëgjuar dhe e pa dobishme dhe nuk ka shans të ketë sukses” tha ai. Avokatët janë prej tre javësh në bojkot kundër hartës së re gjyqësore që shkurton gjykatat.