Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot PD-në që kërkon heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës me pretendimin se burri i saj, Artan Gaçi ka përfituar në konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit statusin e investitorit strategjik në jug të vendit. Kreu i qeverisë e cilësoi “furtunë në gotë” dhe për PD-në, tha se është bërë për “gjynah”.
“Unë besoj që është koha, ka kohë që ka kaluar koha në fakt, që ne dhe kur them ne, flas për vete dhe pjesën tonë, të dorëzohemi përpara faktit që vesi del me shpirtin dhe që këta që merren me këto punë nuk do të ndryshojnë kurrë.
Kurrë. Për fat të keq. Ne natyrisht jemi shumë mirëpritës dhe mikpritës nga ana e tyre, por këta nuk do të ndryshojnë mesa duket dhe kjo tërheqja zvarrë e cdo gjëje dhe kujtdo qoftë për linçime dhe përbaltje publike mesa duket është një praktikë që nuk do të ndryshojë. Rruga jonë është e përcaktuar.
Ne nuk jemi perfekt dhe mund të bëjmë gabim. Unë e kam shumë të qartë se cdo minutë i humbur për t’u marrë me këta është gjynah i madh. Nuk shoh asnjë problem në këtë që është ngritur furtunë në gotë” tha ai.