Deputetja e PD-së, Flutura Açka reagoi ashpër një ditë pasi kryeministri Edi Rama dënoi me tre muaj riedukim gazetarin Klevin Muka, pasi nuk i pëlqeu pyetja që i drejtoi gjatë konferencës për mediat.
Açka thekson se dikur ishte njeriu që është rrahur për fjalën e lirë, ndërkohë që sot sipas aj është kthyer në harbutin e mediave. Shkrimtarja thekson se fjala riedukim është marrë nga diktatura.
“E kush e mendonte se njeriu që dikur është rrahur për fjalën e lirë, të kthehej në harbutin e mediave kur të ishte në pushtet. Në solidariteit me gazetarët!
Si mund të kalojë nëpër duart e pushtetit të tij për t’u votuar statusi i gazetarit? Do ta kthejë në “Urdhëri i gazetarit”, ose më keq akoma, në “Spaçi i gazetarit”.
Fjala “Riedukim” në demokraci është marrë borxh nga diktatura. Në fakt na duhet të hapim me ligj një shkollë, atë riedukimit të Kryeministrave të Demokraturës”, thekson Açka.
DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike përshëndet qëndrimin kurajoz të gazetarit të A2, Klevi Muka. Ne, dënojmë censurën dhe mospërmbajtjen etike e protokollare të kreut të Qeverisë.
Dënimi me riedukim, duke i ndaluar pjesëmarrjen për tre muaj në konferenca shtypi, një gazetari, është një akt paprecedent i marrdhënieve media-qeveri në gjithë Europën.
Të ngjashmit e këtij qëndrimi gjenden vetëm në Turqinë e Erdoganit, Rusinë e Putinit, Korenë e Veriut të Kim Yongut.
Partia Demokratike përshëndet reagimin e “Reporterëve pa kufij” pas incidentit në konferencën e djeshme të shtypit. Me këtë rast, u kërkojmë edhe organizatave të tjera të lirisë së shtypit, që të shtojnë presionin mbi një qeveri që nuk lejon gazetarët t’u bëjnë pyetje ministrave.
Partia Demokratike u kërkon faktorëve relevantë ndërkombëtarë, të përfaqësuar në Tiranë, t’i bashkohen reagimeve kundër censures mediatike.
Raportet e fundvitit nuk mjaftojnë.
Kontradikta mes raporteve dhe qëndrimeve këtu në Tiranë, nuk bie në sy për mirë.
Në fund, ne i kërkojmë kryeministrit Rama të heqë nga komunikimi publik konferencën për shtyp.
Monologu, dhe jo dialogu, është streha e tij. Duket qartë, që në konferencat për shtyp ai nuk mund ta kontrollojë veten, dhe as situatën.
Kur një gazetar është në rrezik të mos-ushtrimit të profesionit, Shqipëria është në rrezik.