Athina tashmë konsiderohet si Çikago e viteve 30, për shkak të rritjes së numrit të krimeve.
Një shqiptar ka shkaktuar një tragjedi mbrëmjen e djeshme. Ai ka plagosur 2 efektivë policie dhe vrarë një person.
Drejtuesit e 2 makinave kanë debatuar ashpër dhe janë përleshur me njëri tjetrin. Shoferi i parë doli nga makina dhe hapi zjarr duke plagosur rëndë shoferin tjetër, i cili ndërroi jetë në spital.
Pak sekonda më vonë, pasagjeri që ndodhej në makinë me personin që u plagos ka dalë nga makina dhe në tentativë për t’u larguar është përplasur nga një automjet që kalonte, duke u plagosur lehtë.
Pas ngjarjes ai ka braktisur makinën dhe nën kërcënimin e armës ka ndaluar një automjet tjetër që kalonte, duke zbritur me forcë drejtuesin dhe duke u larguar nga zona.
Duke drejtuar makinën e vjedhur me shpejtësi është nisur drejt Agioi Anargyrou, ku ka tentuar të kryejë një grabitje me armë në një pikë karburanti në zonë.
Aty ka braktisur makinën e vjedhur dhe ka tentuar të largohet në këmbë. Duke parë makinën e patrullës së policisë që po shkonte në vendngjarje, ai e ka ngatërruar me taksi dhe iu afrua. Në momentin që ka kuptuar se ishte automjeti i policisë ka qëlluar mbi policët, të cilët iu kundërpërgjigjën me armë duke e vrarë.
Dy efektivët e policisë mbetën të plagosur lehtë, nga të shtënat që morën, njëri në këmbë dhe tjetri lart në jelek antiplumb në nivelin e shpatullave.