Krimi me uniformë. 188 efektivë policie dhe 3 punonjës të Gardës së Republikë janë vënë nën hetim për gjashtë muaj. Efektivët dhe gardistët dyshohen për shpërdorim detyrë e korrupsion, por edhe për vepra të tjera penale.
AMP thotë se ga Janari në Qershor janë arrestuar me masa sigurimi të caktuara nga gjykata edhe për 23 punonjës policie dhe 3 gardistë. Numrin më të lartë të të hetuarve dhe arrestuarve, e ka pasur muaji që lamë maj. Gjatë Qershorit, u dërguan për hetim 50 efektivë, ku 6 prej tyre u arrestuan me vendime gjykate.
Në muajin e shkuar, u caktua arrest shtëpie për dy ish-nën drejtorët e Policisë së Elbasanit, për deklarim të rremë e shpërdorim detyre, se nuk reaguan në kohë për të parandaluar vrasjen e Pjerin Xhuvanit, para zgjedhjeve të 25 Prillit.
Raste të tjera ishin efektivët e arrestuar në Velipojë për favorizimin e kultivimit të kanabisit, apo dhe punonjës të pikave doganore për lejim të kalimit të mallrave kontrabandë.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, gjatë kësaj kohe u trajtuan edhe 1174 ankesa, ku numri më i lart janë shkeljet që kryejnë efektivët e rendit dhe sigurisë publike, për të vijuar me policinë rrugore, specialistët e hetimit të krimeve, ndërsa të tjerat për sektorë të ndryshëm.