Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është përgjigjur ministres së Financave Delina Ibrahimaj që e cilësoi lojë politike përpara protestës nga LSI, denoncimin me skemë të vjedhjes që është bërë me aferën e inceneratorëve.
Kryemadhi tha se ministrja e pranoi vjedhjen dhe tani i kërkoi që të tregonte se ku shkuan lekët. Gjithashtu, drejtuesja e LSI-së, i bëri thirrje që të çojë kërkesën në gjykatë për pezullimin e kontratës që vazhduan edhe sot të paguajë pronarët e shpallur në kërkim.
“Sapo dëgjova ministren e Financave që e pranoi që ekziston evazioni fiskal i këtyre kompanive. Në të gjithë deklaratën e saj ka shumë luhatje. I kërkoj që të bëjë transparente, cfarë investimi është bërë në inceneratorin e Tiranës deri tani. Kushti i investimit 128 mln euro nuk është i realizuar.
A mund të më thotë ministrja, sa ka paguar deri tani dhe këto që janë paguar deri tani për cfarë kanë shërbyer dhe cfarë investimi është bërë? Kjo është detyrë kryesore për të shpjeguar se cfarë bëhet me paratë. Unë e si mirë, që kompanitë që kam denoncuar janë fiktive, nuk kanë mjete pune, apo mallra dhe njerëz të punësuar. Këto kanë shërbyer për të bërë të gjithë evazionin e Klodian Zotos dhe shumë të tjerëve.
A i keni kontrolluar magazinat e këtyre kompanive? Në dyert e bizneseve të ndershme është cdo gjë hetimi tatimor, po këto i keni kontrolluar? Hetimi tatimor në këto kompani nuk ka zbarkuar asnjëherë. Pra ju e konstatuar se këto kompani ishin fiktive por vazhduan të paguanit nga buxheti i shtetit. Tabela tregon paratë që Klodian Zoto ka bërë evazion dhe ministria kishte dijeni. Kujt ia kanë dhënë faturat? Kush kompani kanë bërë blerje dhe shitje fiktive?
Përfituesit kryesorë janë kompani që kanë fituar tenderat publike me 99.99%. Ndjej dhimbsuri për ministren që thotë nuk mund të hetoj. Ministrja akuzon SPAK-un, që akoma vazhdojnë hetimin për inceneratorin e Tiranës. Ministrja të çojë në gjykatë pezullimin e kontratës për inceneratorin e Tiranës, pasi investimi prej 128 mln euro nuk është bërë” tha ajo.