Boris Johnson ka këmbëngulur se ai do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pavarësisht një revolte në rritje të konservatorëve kundër udhëheqjes së tij.
Ai u shpreh se ka fituar mandatin në zgjedhjet e 2019 dhe do të vazhdojë të mbajë mandatin e tij si kryeministër i Britanisë, mes një revolte në rritje të konservatorëve.
Reagimi i tij vjen pas dorëheqjes së njëpasnjëshme të ministrave që largohen në postet qeveritare ose partiake.
Rishi Sunak, ministër i financave dhe Sajid Javid, sekretar për Shëndetësinë dhe kujdesin social dhanë dorëheqjen brenda pak minutave mbrëmjen e së martës, me pretendimin se kishin humbur besimin tek Johnson.
Të njëjtin shembull ndoqën edhe anëtarë te tjerë më të rinj të qeverisë. Vala e dorëheqjeve vijoi edhe të mërkurën, me ministrin për fëmijët dhe familjet Will Quince, dhe asistenten e sekretarit të shtetit për transportin Laura Trott.
Johnson ka marrë letrat e dorëheqjes nga ministrat dhe duhet të gjejë zëvendësuesit e tyre.
Liam Fox, ish-sekretari i mbrojtjes i cili më parë ishte besnik i Boris Johnson, iu është drejtuar: “Ngjarjet e ditëve të fundit më kanë bindur se për fat të keq nuk mund të vazhdoni të udhëheqni Partinë Konservatore dhe më e rëndësishmja vendin tonë. Sot po tërheq mbështetjen time për ju, pasi nuk kam më besim tek ju si udhëheqësi ynë. Ju bëj thirrje të bëni gjënë e duhur dhe të jepni dorëheqjen.”
Totali i ministrave dhe personave që kanë dhënë dorëheqjen në qeverinë e Johnson ka shkuar në 27.