Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se po shkel Kushtetutën për të mbrojtur ministrat dhe zyrtarët e saj, duke iu referuar vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Bardhit, ky vendim ka rrëzuar unanimisht qëndrimin e Kuvendit se pezullimi i ministrave lidhet me imunitetin e tyre.
Bardhi ka theksuar se ky vendim i Kushtetueses ka dhënë përgjigje edhe për çështjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke i kërkuar mazhorancës të tërheqë propozimin për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, që ai e cilëson si antikushtetues.
“Sa kohë në sallë nuk është as propozuesi i këtij projektligji dhe as ministri i Arsimit, unë do e shfrytëzojë këtë kohë për t’ju ribërë thirrje për të kërkuar ndjesë, zoti kryetar i Kuvendit, për shkeljen e Kushtetutës.Qëndrimi i Kuvendit, i padiskutuar në asnjë organ të Kuvendit, ka mbajtur një qëndrim që është rrëzuar njëzëri 8 me 0 nga Gjykata Kushtetuese. Qëndrimi juaj, zoti kryetar, se pezullimi i ministrave është pjesë e imunitetit kushtetues të ministrit, është rrëzuar si qëndrim antikushtetues. Kur Kuvendi thirret si palë në një çështje në gjykatë, nuk ftohet seanca, por institucioni. Ne, Kuvendi, u ftua në atë çështje si një palë për të dhënë mendimin teknik ligjor.”









