Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur mesditën e sotme për të dëgjuar deputeten, njëkohësisht ministre e Jashtme Olta Xhaçka për akuzat që PD ka ngritur se burri i saj Artan Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik nga qeveria Rama në konflikt interesi.
Por, deputetja nuk pranoi që të shkonte vetë duke çuar avokatin, Genc Çifligu. Ai tha se prona ku do të ndërtohet hoteli në Drimadhe është pronë private e burrit të ministres, ndërsa kompania tjetër që ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar bregut e detit nuk është në emrin e tij.
“Sipas provave, Olta Xhaçka nuk ka përfituar asnjë pasuri të shtetit. Nuk ka përfituar as pasuri të shtetit apo pushtetit vendor. Shoqëria tregtare ka marrë statusin e investitorit strategjik pasi ka plotësuar kërkesat ligjore.
Sipërfaqja ku do të ndërtohet hoteli në Drimadhe është private dhe shoqëria nuk do të shfrytëzojë pasurinë, por është një tjetër subjekt, që do të lidhë kontratën. Nuk është shoqëria e burrit të deputetes që i ka njohur të drejtën e përdorimit bregut të plazhit, por një tjetër” tha avokati.
Por demokratët janë “mërzitur” nga zgjatja e argumenteve. Deputeti Gazment Bardhi kërkoi që t’i ndërpritej fjala, por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla reagoi. Debati vazhdoi për disa minuta.
Debati në komision
Gazment Bardhi ndërhyn (pa mikrofon)
Lindita Nikolla: Të lutem e kemi thirrur këtu për ta dëgjuar.
Gazment Bardhi: Nëse ka ardhur të bëjë avokatinë e biznesit, muhabet kot….
Lindita Nikolla: Të lutem, zoti Bardhi nuk jeni i detyruar ta dëgjoni me zor.
Gazment Bardhi vijon që të kundërshtojë, Nikolla nuk i jep fjalën
Lindita Nikolla: Zoti Bardhi, a ka mundësi njëherë ndaloni. Respektoni fjalën. Dëgjoni avokatin. Të lutëm, nuk më impresionon me këto ndërhyrje. Ulu aty, ose ndryshe dilni jashtë nëse jeni i axhituar.