Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes, përmes një letre të hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut që të pranojë propozimin e Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, gjë që do t’i hapte derë integrimit evropian.
Në letrën e hapur, ambasadorja Byrnes ka thënë se “populli dhe institucionet e këtij vendi (Maqedonisë së Veriut) kanë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së në rrugëtimin drejtë BE-së, për marrjen e një vendimi, i cili sado që mund të jetë i rëndë, është i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”.
“Anëtarësimi në BE do ta bëjë vendin tuaj më të fortë. Anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare, aq më pak pjesëmarrja në ato procese, është punë e vështirë dhe vjen me vendime të vështira… Por, pranimi i këtij propozimi do të thotë që më në fund do të keni një vend në tryezën e negociatave të anëtarësimit. I vendos vendet anëtare të BE-së, shumë prej të cilave janë partnere dhe aleate tuaj të ngushta, në një dhomë me ju… Pasi të filloni negociatat, do të keni më shumë mjete dhe falë metodologjisë së re, qasje më të hershme në fondet dhe programet e BE-së – të cilat mund t’i përdorni për të realizuar qëllimet tuaja dhe për të ndërtuar të ardhmen që dëshironi për veten dhe fëmijët tuaj”, ka shkruar ambasadorja amerikane.
Sipas saj, propozimi i ri francez nuk cenon gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe se përmbajtja e tij më shumë është teknike.
“Ai (propozimi) njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe i mbron ato nga sfidat e mëtejshme. Megjithëse mund të mos jetë i përsosur, propozimi bën atë që është e domosdoshme: mbron interesat tuaja thelbësore dhe nis negociatat dhe procesin dinamik të shqyrtimit. Në këndvështrimin tonë pragmatik, ai përfaqëson realisht mundësinë më të mirë për ta çuar, më në fund, vendin tuaj përpara në rrugën e tij drejt BE-së, duke forcuar kontrollin mbi të ardhmen tuaj”, vlerëson Byrnes
Ajo shton se “zgjedhja për të ecur përpara është vendimi juaj si një komb sovran – dhe ne e dimë se është një zgjedhje e vështirë”
“Në tryezën e bisedimeve, nëse mendoni se shqetësimet tuaja nuk po trajtohen, mund të bëni zgjedhje të tjera. Ju duhet të bëni hapin e parë për të arritur në të dytin”, thotë ambasadorja amerikane, Kate Marie Byrnes, në letrën e hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Të mërkurën edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një letre i është drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarisë, i cili sipas Macronit, i hap rrugën integrimit evropian.
“Një mundësi historike po hapet, zgjedhja është e juaja”, u tha qytetarëve maqedonas presidenti francez Macron, në letrën e publikuar të enjten nga ambasada franceze në Shkup.
Macron nuk pretendon se propozimi francez është i përsosur, por thotë se e fut vendin në Bashkimin Evropian.
Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se Bashkimi Evropian do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.
Poashtu në këtë propozim thuhet që Maqedonia e Veriut duhet të “nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.
Propozimi francez është mbështetur nga Bullgaria, e cila edhe vendosi të heq veton ndaj Shkupit për nisjen e bisedimeve me BE-në, të cilën e kishte vendosur në nëntor të vitit 20202.
Partitë qeverisëse në Shkup mbështetin propozimin francez, por ai kundërshtohet nga opozita maqedonase e cila për çdo ditë po organizon protesta, të cilat u përshkallëzuan edhe në dhunë nëpër rrugët e Shkupit./REL