Për avokatin e Rrethit Gjyqësor të Pogradecit, Denis Mekolli, rishpërndarja e gjykatave do të thellojë krizën në sistemin e drejtësisë, e shkaktuar nga reforma në drejtësi.
hqetësim për të mbetet rritja e kostos financiare për qytetarët, që do të shkaktojë largësia fizike e Gjykatës së Apelit dhe ajo Administrative për Rrethin e Pogradecit.
Pse po has kundërshtime në komunitetin e avokatëve harta e re gjyqësore për Shqipërinë?
Harta e re gjyqësore po has kundërshtime, jo vetëm në komunitetin e avokatëve, por edhe në gjithë komunitetin që ka problematika pranë gjykatave përkatëse, për shkak të largësisë së komunitetit me gjykatën dhe kostove që do t’ju shtohen qytetarëve.
Sa do të rriten kostot për një avokat dhe për palën mbrojtëse nga qyteti i Pogradecit, me rishpërndarjen e re të gjykatave?
Me miratimin e hartës së re gjyqësore, kostot do të rriten në mënyrë të jashtëzakonshme, nuk mund të përcaktohet diçka konkrete, pasi secila çështje gjyqësore ka specifikën e vet, por është e sigurt që do të jetë një rritje kostoje në kufijtë e pamundësisë së qytetarëve për të filluar një proces gjyqësore.
Me ikjen e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Korçë, duke marrë rastin e një qytetari që ka problematikë për vjetërsinë në punë dhe njohjen e një periudhe të caktuar vjetërsie në punë, ku interesi dhe përfitimi i qytetarit do të jetë rreth 1,000 lekë në muaj pas përfundimit të procesit gjyqësor, kostoja e tij për një avokat në qytetin e Tiranës do të jetë mbi 60.000 lekë për përfaqësimin me avokat dhe përfundimin e procesit gjyqësor. Në këto kushte jemi përpara faktit që qytetari humbet interesin për ndjekjen e këtij procesi gjyqësor.
Mendoni se me rishpëndarjen e re të gjykatave do të mundësohet aksesi në drejtësi për banorët e Pogradecit dhe fshatrat përreth?
Sipas hartës së re gjyqësore, jo vetëm që nuk do të ketë akses për qytetarët, por mund të themi me bindje se do të ketë vetëtëgjyqësi nga ana e qytetarëve të Rrethit të Pogradecit, pasi duke mos pasur mundësi ekonomike dhe në të njëjtën kohë largësi fizike me institucionin e gjykatës, rrjedhimisht ngelet vetëm vetëgjyqësia.
Sipas jush, a rrezikohet të krijohet stok dosjesh siç ka ndodhur me Gjykatën e Apelit Administrativ, apo Gjykatën e Lartë, pas propozimit për ekzistencën e një gjykate të vetme, atë të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke shkrirë 6 ekzistueset?
Sigurisht që do të ketë një stok masiv dosjesh, sipas kësaj harte të re gjyqësore, dosje që do të duan vite e vite për t’u ardhur radha për shqyrtim, dhe kjo gjë është e provuar më parë, kur në vitin 1995 u la vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë dhe jo më kot u krijuan Gjykatat e Apelit vite më vonë nëpër qarqe, të cilat kishin një funksionalitet shumë efikas, si për nga shpejtësia, edhe nga cilësia e Gjykimeve.
Pas përfundimit të bojkotit 4-ditor, a pritet të përshkallëzoni masat për plotësimin e kërkesave tuaja?
Tashmë u bënë dy javë në bojkot dhe sapo u mor vendimi për bojkotim edhe për javën e ardhshme. Sigurisht që do të ketë përshkallëzim, pasi kjo që po ndodh është e papranueshme për komunitetin ku ne jetojmë.
Gjithashtu, edhe për komunitetin e avokatëve, bojkoti do të përshkallëzohet, duke mos marrë pjesë as edhe në proceset gjyqësore me objekt “vlerësim arresti dhe caktim mase sigurimi personal”, përshkallëzimi do të shkojë edhe me pezullimin e licencave të avokatëve, duke mos dhënë asnjë ndihme juridike apo asistencë ligjore.
Mëtej do të shkohet deri në “grevë urie”, duke shpresuar që të bashkohen edhe shumë qytetarë, për këtë padrejtësi që po i bëhet këtij komuniteti.
A është e domosdoshme rishpërndarja e gjykatave, apo për problemin e mungesës së gjyqtarëve mund të zbatohej një tjetër zgjidhje?
Nuk është aspak e domosdoshme rishpëndarja e Gjykatave. Tashmë dështimi për reformën në drejtësi ka sjellë këtë pasojë, por sigurisht këtë nuk po e kuptojnë ende, që kjo që po bëjnë është thellim i krizës në sistemin e drejtësisë, i cili nuk dihet se ku do të përfundojë.
Aktorët që kanë vendosur për hartën gjyqësore kanë pasur të gjitha mundësitë që të mos krijoheshin mungesa të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi ata kanë pasur detyrë për të kryer një studim paraprak për heqjen e gjyqtarëve nga sistemi dhe krijimin e grupeve të magjistratëve në një numër më të madh.
Mungesa e gjyqtarëve nuk do të ndihej aspak sikur në secilin vit, në magjistraturë të kishin shtuar numrin me maksimumi 20 gjyqtarë në vit.
Po kështu, mungesat e gjyqtarë mund t’i plotësojnë edhe duke futur magjistratët e vitit të dytë në sistem, pasi nuk ka pse këta magjistratë të kryejnë një vit të plotë praktikë gjyqësore./ Monitor