Pavarësisht vizitave të shumta jashtë vendit nga krerët shtetëror, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, shprehet se politika e jashtme e Kosovës është jofunksionale.
Mos-anëtarësimi i Kosovës në ndonjë organizatë të re dhe mungesa e njohjeve të reja të shtetësisë së Kosovës, janë treguesit e këtij mos-funksionimi, sipas deputetes së PDK-së.
Përveç asaj që Deliu-Kodra thotë se është mangësi e politikës së jashtme, edhe në atë të brendshme ajo konsideron se ka rënie të pëlqyeshmërisë qytetare ndaj shefit të ekzekutivit kosovar, Albin Kurtit.
“Nuk ka asnjë anëtarësim të ri të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, s’ka asnjë lajm të ri nga vizitat që i kanë pasur së fundmi zyrtarë të lartë të shtetit. S’ka rikonfirmim ose njohje të Kosovës nga një shtet”.
“Në përgjithësi po e them, politika e jashtme e Kosovës vazhdon të jetë anemike, vazhdon të mos jetë funksionale në kuptimin që do të duhej që Kosova të kryente këtë kontribut të saj”, ia ka thënë deputetja agjencisë së lajmeve kosovapress.
“Ka rënie të pëlqyeshmërisë së kryeministrit në raport me çështjet të cilat ai ka avokuar, të cilat kanë qenë çështjet e zhvillimit ekonomik dhe çështje që prekin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”.
“Pra gjendja nuk është e lehtë, kemi jetë të rënduar të qytetarëve, kemi çmime të larta, kemi çmimin e energjisë elektrike i cili do të afektojë qytetarët gjatë stinës së vjeshtës. Kemi një qeveri, përkundër kësaj situate, s’ka asnjë rritje të pagave dhe asnjë mbështetje serioze për qytetarët e Kosovës”, tha ajo