Protestuesit kanë thënë se do të vazhdojnë të qëndrojnë në rezidencat presidenciale dhe kryeministrore të Sri Lankës derisa të dy liderët të japin zyrtarisht dorëheqjen.
Presidenti Gotabaya Rajapaksa tha se do të largohej më 13 korrik, sipas një njoftimi të bërë nga kryetari i parlamentit të shtunën. Por vetë presidenti nuk është parë dhe as nuk ka bërë një deklaratë publike.
Burime ushtarake i kanë thënë BBC-së se ai aktualisht ndodhet në një anije të marinës në ujërat e Sri Lankës. Vëllai i tij, ish-kryeministri Mahinda Rajapaksa, ndodhet në një bazë detare në vend, thonë burimet.
Mijëra njerëz zbritën në Colombo të shtunën duke kërkuar dorëheqjen e tij pas muajsh protestash. Presidenti është fajësuar për keqmenaxhimin ekonomik të vendit, që ka sjellë mungesë ushqimesh, karburantesh dhe ilaçesh prej muajsh.
Kryeministri aktual Ranil Ëickremesinghe tha gjithashtu se ai do të tërhiqej pas protestave të së shtunës, ndrëkohë që rezidencës së tij private iu vu zjarri. Por protestuesit mbeten skeptikë për qëllimet e liderëve.
“Lufta jonë nuk ka mbaruar”, tha kreu i protestës studentore Lahiru Ëeerasekara, cituar nga AFP. “Ne nuk do të heqim dorë nga kjo luftë derisa Presidenti Rajapaksa të largohet në të vërtetë”, tha ai.
Udhëheqësit politikë do të mbajnë takime në orët në vijom për të diskutuar një tranzicion të qetë të pushtetit të dielën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se çdo qeveri e re duhet të fokusohet menjëherë në stabilitetin ekonomik të vendit.