Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, i cili sot ndodhet në Kosovë për një vizitë zyrtare me homologun e tij Ejup Maqedonci, gjatë daljes për mediat ka folur edhe për angazhimin e KFOR në Kosovë.
“Kemi shprehë shqetësimet tona në raport me situatën e sigurisë, duke e theksuar se situata e sigurisë në Kosovë është drejtpërdrejtë situatë sigurie për Republikën e Shqipërisë dhe çdo zhvillim apo implikim i mundshëm në Kosovë sjellë shqetësim për Republikën e Shqipërisë. Në të dyja takimet, si me Z. Rutte si me Z. Dragone, u konfirmua që nuk ka ndonjë ndryshim, të paktën deri sot, të planeve të sigurisë së KFOR-it sa i përket angazhimit të KFOR-it në Republikën e Kosovës.
Shqipëria si anëtare e NATO-s, por edhe Kosova për sa kohë kemi këtu misionin e KFOR-it por edhe qasja dhe avokimi që vetë Qeveria e Kosovës ka në lidhje me sigurinë, besoj se të gjitha strategjitë e sigurisë dhe të gjitha doktrinat e sigurisë i ka në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n që është edhe gurthemeli i garancisë së sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon, për sa kohë që shumica e shteteve në rajon janë anëtare të NATO-s”, u shpreh Nufi.









