Prej 3-javësh Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka nisur protestë-bojkotin kundër hartës së re gjyqësore.
Shumë qytetarë kanë ngelur të pa përfaqësuar në gjyq për shkak të mungesës së avokatëve si dhe një sërë gjyqesh janë anuluar. Së fundmi ata janë shprehur se do ta shtynë sërish afatin e bojkotimit për ti bërë më tepër presion qeverisë.
Kjo e fundit nuk ka ndërmarr asnjë hap pas në lidhje me Hartën e re Gjyqësore, e cila ka reduktuar numrin e gjykatave nëpër qarqe.
Greva disa javore e vendosur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë duket se po dëmton edhe vetë avokatët. Ata kërkojnë t’i jepet sa më parë një zgjidhje kërkesave të tyre pasi një vazhdim i saj po i rëndon ekonomikisht. Ata thonë se ata avokatë që zbatojnë ligjin, do të përballen me datën 20 si afati i fundit i sigurimeve shoqërore, momenti i pagesës së qirasë së zyrës dhe e disa kushteve të tjera ekonomike që ndikojnë në ekonominë tyre. Ata kërkojnë që të rregullohen disa pika në këtë bojkot por ata mendojnë se nuk duhet ta braktisin për shkak se qytetarët mund të dëmtohen me miratimin e hartës së re gjyqësore.