Më shumë se një vit nga ekzekutimi, prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill 2021, 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare. Të pandehur janë marrë, Arbër Papleka dhe 8 persona të tjerë, mes tyre shtatë zyrtarë të policisë.
Arbër Paplekaj, ish-efektivi i repartit Special RENEA akuzohet autor i vrasjes së Pjerin Xhuvanit (Pipi), tentativës së vrasjes të dhëndrit të tij, Eltjon Bodinaku si dhe plagosjes së punonjëses së policisë, Xhensila Sota.
Nën akuzë janë edhe dy ish-zv/drejtorët e Policisë së Qarkut Elbasan, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, të cilët aktualisht ndodhen në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe gjashtë efektivët e patrullës “Shqiponja”, Dedjon Duraku, Pëllumb Bicaku, Erjon Balla, Besmir Kadiu, Donald Dedja dhe Erjon Meçja, të cilët do përballen në gjykate me akuzën e “Deklarimit të rremë”.
Gjithashtu nën akuzë është edhe Eldjo Beko me akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Por kush i plagosi dy ish-policët Emiljan Prenga dhe Pavlo Vuksani? Për këtë pjesë, hetimi është ndarë në një procedim tjetër dhe vazhdon.