Në Francë, autoritetet kanë konfirmuar një lidhje midis nitrateve të shtuara në mishin e përpunuar dhe kancerit të zorrës së trashë.
Konkluzioni i nxjerrë i ka dhënë goditje industrisë së çmuar të proshutës dhe sallameve në vend.
Anses, organi kombëtar i sigurisë ushqimore, ka thënë se të dhënat e publikuara mbështesin përfundime të ngjashme të vitit 2015 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Ndërkaq, studimi aktual rekomandon “reduktimin e konsumit të gamës së nitrateve, duke reduktuar qëllimisht konsumin e produkteve që e përmbajnë”.
Nitratet shtohen në një sërë produktesh ushqimore për të përmirësuar jetëgjatësinë dhe shijen e tyre, si dhe për të ndihmuar në ngjyrimin e produkteve me bazë derri.
Dhe Franca është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të produkteve të tilla, të njohura si charcuterie.
“Bëhet fjalë për kufizimin e përdorimit të tyre në atë që është rreptësisht e nevojshme”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga ministrat e shëndetësisë dhe bujqësisë.
Sipas tyre, reduktimi duhet të bëhet në një mënyrë të ekuilibruar që garanton sigurinë ushqimore për konsumatorin.
Paralajmërimi i OBSH-së i vitit 2015 shkaktoi zhurmë në mbarë botën pasi Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit e OKB-së arriti në përfundimin se mishi i përpunuar duhet të klasifikohet si kancerogjen i grupit 1.
Kjo përfshinte të gjithë mishrat e përpunuar, që nga proshuta e ngrënë në masë në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar, te sallami italian, chorizo spanjoll, bratwurst gjerman dhe charcuterie franceze.