Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami shpjegoi sot në Komisionin e Ligjeve kriteret ku është bazuar për hartën e re gjyqësore që shkurton 18 gjykata të shkallës së parë, apeli dhe administrative. Tre janë indikatorët, ku Llagami tha se ishte bazuar; e para numri i gjyqtarëve që sipas saj është ulur nga vettingu, e dyta numri i dosjeve dhe e treta zhvillimi demografik.
“Ligji ka vendosur disa kritere kur thotë se cila duhet të ketë një gjykatë, që duhet të ketë shtatë gjyqtarë. Që të kemi një gjykatë Apeli duhet të kemi 10 gjyqtarë. Gjysma kanë rënë kur ngritët dorën dhe miratuat këtë ligj. Kriterin e madhësisë nuk e plotësonin. Gjithashtu edhe të dhënat për tre vitet e fundit.
Mesatarja për tre vitet e fundit doli se ishte 429 cështje për gjyqtar, për nivel apeli 220 cështje. Indikatori i parë ishte numri i gjyqtarëve, i dyti numri i cështje, ngarkesa dhe i treti zhvillimi demografik. Mbi gjysma e popullsisë janë në Tiranë sot. Arritëm në përfundimin që pjesa më e madhe e gjykatave nuk e justifikonin që të qëndronin. Përmeti ka 130 cështje” tha ajo.
Por përse kemi vetëm një gjykatë Apeli? “E para nuk e justifikojnë. Vetëm Durrësi, Vlorë dhe Tirana e justifikonin ngarkesën. Duke marrë parasysh situatën te niveli i Apelit, që nuk kërkohet, aksesi nuk është i njëjtë si në shkallën e parë, ka gjykim rishikues, që bëhet me një gjyqtar dhe ka nivel rishikues.
Arsyeja se përse përfunduam me një është që nuk ishte vetëm pjesa e një apeli të madh. Ligji thotë se duhet të ketë 10 gjyqtarë apeli, por kjo nuk na lejon të krijojmë seksione. Po ju keni vendosur që edhe ngritja në detyrë e një gjyqtari duhet të jetë me fushë të caktuar” tha ajo.
“Zonja kryetare ta nisim nga kjo pikë. KLGJ të na bindë që ky nuk është vendim politik i Edi Ramës që ka marrë firmën e Naureda Llagamit. Në të kundërt nëse është vullnet politik i Edi Ramës nuk kanë çfarë bëjnë këtu asnjë institucion. Le të vijë këtu Edii Rama dhe t’i dalë për zot kësaj katrahure” ishte akuza e Gazment Bardhit.
Naureda Llagami iu përgjigj shkurt duke i thënë se hartën e bëri grupi i punës, ku brenda ishte edhe ministria e Drejtësisë. “Në grupin e punës ka qenë edhe ministria e Drejtësisë. Kemi marrë ekspertizën e KiE-së, mbi raportet e të cilit është miratuar ligji për pushtetin gjyqësor.
Gjithë puna u mbyll brenda afatit, pavarësisht problemeve dhe pandemisë dhe në shtator të 2020-ës ia dërgoi produktin ministrisë së Drejtësisë. Nuk ka qenë produkt i Edi Ramës dhe firmosur nga Naureda Llagami, por grupi i punës” tha ajo.
Pandeli Majko i kërkoi shpjegime. “Votuesit e mi maksimumi për të shkuar në gjykatë duhet të kalojnë Lanën, por ata të Korçës që duhet të kalojnë të paktën tre qafa?”.