Bardhok dhe Armando Lleshi janë arrestuar gjatë një aksioni të policisë në Mirditë për mbjellje kanabis.
Mësohet se ata kishin mbjellë hashash në zonë e quajtur përroi i Setfes.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, bazuar në informacione të marra në rrugë operative, për dy shtetas që kishin kultivuar bimë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Continues”.
Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Blinisht, njësia administrative Orosh, rrethi Mirditë, konkretisht në vendin e quajtur “Përroi i Seftes”, në ambient të hapur, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve hetimore, janë identifikuar si autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve, shtetasit B. Ll., 49 vjeç dhe A. Ll., 20 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Blinisht, Mirditë, të cilët u arrestuan në flagrancë,” ka njoftuar policia.