Shpallet në kërkim drejtuesja e Kadastrës në Tropojë, ish-kandidatja e PS-së për deputete, Aljin Alfredaj 31-vjeçe, banuese në Fierzë. Ajo u shpall në kërkim, pasi kundër saj ka pasur kallëzime se falsifikonte dokumentet e pronave, duke i regjistruar ato në emër të personave të tjerë dhe jo të pronarëve të ligjshëm të tyre. Gjithashtu në një tjetër operacion janë pezulluar gjashtë anëtarë të vlerësimit të tenderave në bashkinë Tropojë. Nga hetimet e kryera janë evidentuar veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të anëtarëve të Njësisë së Prokurorimit (NJP) dhe anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), lidhur me procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksioni i 5 segmenteve rrugore, në fshatrat Gri, Bujan dhe Cërrnicë”, zhvilluar në vitin 2020.
NJOFTIMI I PLOTE
Tropojë-Finalizohen 2 operacione policore, të koduara “Cancel” dhe “Tenderi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomik.
Operacioni “Cancel”- Falsifikoi dokumentet e pronave, shpallet në kërkim përgjegjësja e zyrës vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Tropojë.
Operacioni “Tenderi”- Ekzekutohen masat “Pezullimi i ushtrimit të detyrës” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për 6 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkinë Tropojë.
Në kuadër të operacionit “Cancel”, nga specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Komisariatin e Policisë Tropojë u bë shpallja në kërkim e shtetases A. A., 31 vjeçe, banuese në Fierzë, Tropojë, me detyrë përgjegjëse e zyrës vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Tropojë.
Kjo shtetase u shpall në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të datës 12.07.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, e cila ka caktuar për shtetasen A. A., masën “Pezullimi i ushtrimit të detyrës” dhe masën “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga muaji nëntor i vitit 2021 deri në muajin qershor të këtij viti, ndaj kësaj shtetase ka patur kallëzime se falsifikonte dokumentet e pronave, duke i regjistruar ato në emër të shtetasve të tjerë dhe jo të pronarëve të ligjshëm të tyre.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Tenderi”, nga specialistët për Hetimin e Krimin Ekonomik dhe Financiar në Komisariatin e Policisë Tropojë, u bë ekzekutimi i masave “Pezullimi i ushtrimit të detyrës” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të caktuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:
H. I., 64 vjeç, banues në Bajram Curri, me detyrë anëtar i Njësisë së Prokurimit, në bashkinë Tropojë;
K. B., 64 vjeç, banues në Bajram Curri, anëtar i Njësisë së Prokurorimit, në bashkinë Tropojë;
B. B., 63 vjeç, banues në Bajram Curri, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkinë Tropojë;
P. R., 54 vjeç, banues në Bajram Curri, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkinë Tropojë;
Sh. D., 25 vjeç, banues në Begaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkinë Tropojë;
M. V., 64 vjeç, banues në Bujan, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkinë Tropojë.
Nga hetimet e kryera janë evidentuar veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të anëtarëve të Njësisë së Prokurorimit (NJP) dhe anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), lidhur me procedurën e prokurorimit me objekt “Rikonstruksioni i 5 segmenteve rrugore, në fshatrat Gri, Bujan dhe Cërrnicë”, zhvilluar në vitin 2020.