Kryetari i PD-së, Sali Berisha mori pjesë në ekspozitën kushtuar poetëve të pushkatuar nga regjimi komunist, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka nga Librazhdi. Ish-kryeministri tha se ekspozita paraqet kalvarin e vuajtjeve të dy poetëve.
“Erdha të shpreh nderimin tim më të thellë për sakrificën dhe veprën e pavdekshme të dy poetëve të rinj, vëllezër siamez në idealet e tyre të lirisë, gjeni në krijimet e tyre letrare. Genc Leka dhe Vilson Blloshmi kanë lënë një trashëgimi, do të thosha nga më të shkëlqyerat në letërsinë tonë, poezinë tonë.
Askush gjerë sot nuk ka paraqitur, stamposur, Shqipërinë e diktaturë sikur ka bërë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ato janë krijime jo voluminoze, por diamante në letrat tona. Poezitë e tyre mund t’i krahasosh me krijimet më të bukura, kurajo dhe guxim, që ia thanë në sy diktaturës se cfarë ishte ajo”.
Berisha kishte një thirrje për shqiptarët. “Dua të ftoj shqiptarët të lexojnë poezitë e tyre, sepse ato janë poezitë, janë vepra në të cilën stigmatizohet diktatura komuniste. Me atë forcë që Migjeni ka stigmatizuar mjerim, Genc Leka dhe Blloshmi përshkruajnë Shqipërinë” tha Berisha.