Sot Maqedonia me votimin e propozimit francez i hapi rrugën edhe Shqipërisë për negociatat. Ditën e hënë delegacioni niset për në Bruksel.
Në krye të delegacionit që do të përbëhet nga 15 zyrtarë do të jetë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme, më pas kryenegociatori Zef Mazi dhe ekspertët nga ministritë.
Pyetja që shtrohet është nëse do të ketë përfaqësues nga opozita? Aktualisht në krye të këshillit kombëtar të integrimit është Jorida Tabaku. Por a do të jetë ajo pjesë e delegacionit?
“5pyetjet.al” kontaktoi kryenegociatorin Zef Mazi për të mësuar emrat që do të jenë në listë, por diplomati nuk pranoi të jepte detaje. “Duhet durim, si i gjithë vendi ynë, jo garë mediatike, kjo mund të prishë punë në këto momente. Të hënën do jetë më mirë” tha ai.
“5pyetjet.al” kontaktoi edhe zonjën Tabaku, e cila tha se deri pasditen e së shtunës nuk kishte asnjë njoftim. “Nuk kam asnjë komunikim akoma për këtë” u shpreh deputetja e PD-së.
Nëse do të merret në konsideratë fryma e unitetit për këtë proces kombëtar, një tjetër arsye që mundë të bindë kryeministrin është edhe fakti që Tabaku nuk është rreshtuar me Sali Berishën, të cilin bashkë me nismat e tij, Edi Rama nuk i njeh duke e injoruar totalisht.
Delegacioni shqiptar do të ulet përballë përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të unionit në prani të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme Josef Borrell, komisionerit për Zgjerim Varhelyi dhe ministrit të Jashtëm çek, vend që ka Presidencën e radhës së BE.
Përfaqësuesit e të dy palëve do të paraqesin kornizën negociuese e cila duhet të miratohet. Për Shqipërinë kjo do të jetë dhe çelja zyrtare e negociatave.