Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinajt dyshohet se ka qenë objektivi i atentatit me tre të vrarë ditën e sotme në mbikalimin e Fushë Krujës.
Ervis Martinaj, një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri, aktualisht ndodhet në kërkim ndërkombëtar, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani e akuzoi si porositës i vrasjes së Endrit Dokles për 100 mijë euro.
Vrasja e Fabian Gaxhës
Gaxha mbeti i vrarë gjatë përplasjes me armë zjarri në lokalin “Monopol” në zonën e ish-Bllokut, ngjarje e ndodhur në vitin 2018.
Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj, ku pas një konflikti mes palëve, u vra me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato.
Vrasja e Santiago Malkos
Ish efektivi i policisë, Santiago Malko u ekzekutua në vitin 2019 në zonën e Porcelanit në Tiranë. Klani Duka u përfol si organizator i kësaj vrasjeje, ndërsa informacione nga prokuoria zbuluan se Malko u ekzekutua në shenjë hakmarrjeje në pamundësi për të goditur Ervis Martinajn.
Vrasja e Erigers Mihasit
Më 13 nëntor 2021 mbeti viktimë e një atentati Erigers Mihasi, i njohur si shok i Ervis Martinajt. Ai ishte duke udhëtuar në automjetin e tij tip “Audi A 8” kur u qëllua me breshëri plumbash te mbikalimi i ri i “Astirit”. Mihasi dyshohej se ishte i përfshirë në torturimin dhe grabitjen e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por u lirua për mungesë provash. Në qershor të 2020, Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut.